Harta me vlerësim nga komuniteti është një hulumtim që shqyrton, për të dhjetën vit radhazi, aksesin në shërbimet e shëndetit riprodhues të grave rome nga Shuto Orizari gjatë shtatzënisë, lindjes dhe muajve të parë të mëmësisë, në kuadër të një pandemie.
Gratë rome nga Shuto Orizari në vitin 2021 janë përballur me vështirësi në ushtrimin e të drejtave të tyre seksuale dhe riprodhuese, veçanërisht për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 dhe mungesës së mjekut gjinekolog familjar në Shuto Orizari.
Kjo është arsyeja pse Iniciativa e grave nga Shuto Orizari filloi të avokojë për zgjidhjen e problemit të kahershëm të mungesës së kujdesit parësor shëndetësor gjatë periudhës riprodhuese, e cila u rishfaq me mbylljen e ordinancës gjinekologjike në janar 2020.
Si pasojë e kësaj, gratë rome në periudhën riprodhuese u ekspozuan ndaj kostove dhe rrezikut shtesë, për shkak të kohëzgjatjes së procedurave administrative për fillimin e punës së gjinekologut të ri të familjes. Në të njëjtën kohë, ato ishin të ekspozuara edhe ndaj një rreziku të shtuar të infektimit me Covid-19 për shkak të nevojës për të shkuar në komuna të tjera për të ushtruar të drejtën e tyre për kujdes parësor gjinekologjik. Në fund të prillit 2021, në Poliklinikën Shuto Orizari u hap ordinanca gjinekologjike, e cila ofron shërbime në fushën e kujdesit parësor shëndetësor.
Hulumtimi konfirmon se gratë rome vazhdojnë të hasin në një numër të madh pengesash në ushtrimin e të drejtës për kujdes shëndetësor dhe kujdes për shëndetin riprodhues. Për shkak të mungesës së dokumentacionit personal, disa nga gratë rome nuk kanë sigurim shëndetësor dhe për këtë arsye nuk mund të përdorin pa ndërprerje shërbimet në institucionet shëndetësore.
Hulumtimi tregon rezultate alarmante në fushën e mbulimit të vizitave të patronazhit tek gratë rome gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes. Vetëm 2% e grave janë vizituar gjatë shtatzënisë nga një shërbim patronazhi, megjithëse sipas politikave gratë rome duhet të vizitohen të paktën dy herë. Hulumtimi tregon se ende ekziston një praktikë e tarifimit të paligjshëm për shërbimet që ofrohen falas për gratë gjatë shtatzënisë.
Hulumtimi i plotë, me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet janë dispozicion në gjuhën maqedonase këtu.