Ministria e Shëndetësisë, duke shkurtuar me 40% buxhetin për parandalimin e HIV-it, e rrezikon shëndetin e të paktën 10 mijë qytetarëve të prekur!
Në mënyrë skandaloze dhe paushall, pa asnjë diskutim mes ekspertësh, Ministria e Shëndetësisë shkurtoi rreth 40% të fondeve të parashikuara për parandalimin e HIV-it në Programin për mbrojtjen e popullsisë nga infektimi me HIV për vitin 2022, të cilin qeveria e
miratoi sapo një muaj më parë. Me këtë shteti vë në rrezik shuarjen e kapaciteteve të krijuara për kontrollin e infeksionit HIV në vend dhe e kërcënon shëndetin e së paku 10.000 qytetarëve nga komunitetet e margjinalizuara.
Në vend të 46,5 milionë denarëve të planifikuara në Programin për mbrojtjen e popullatës nga infektimi me HIV, të dedikuara për shërbimet e parandalimit të HIV-it që i zbatojnë rreth 14 shoqata në 12 qytete të vendit, Ministria e Shëndetësisë pardje shpalli thirrje publike për shoqatat me një shumë të reduktuar për 19 milionë denarë. Komisioni kombëtar për HIV nuk u konsultua për vendimin. Falë këtyre programeve, Republika e Maqedonisë së Veriut në15 vitet e fundit e ka mbajtur kontroll të plotë mbi epideminë e HIV në popullatën e njerëzve që injektojnë drogë dhe punëtorët e seksit dhe një nga nivelet më të ulëta të infeksionit në rajon. Në 3 muajt e fundit, reagimi i përgjithshëm kombëtar ndaj kësaj epidemie është në barrë të 14 organizatave qytetare, të cilat vazhdojnë të punojnë pa asnjë kompensim për punën e tyre.
Ndërprerja e shërbimeve për grupet e cenueshme do të nënkuptojë rritje të infeksioneve të reja dhe rritje të vdekjeve për shkak të HIV-it, dhe nga ana tjetër, rritje të presionit ndaj institucioneve kyçe shëndetësore, si Klinika infektive dhe qendrat e trajtimit të varësisë.
Edhe një rritje e vogël e epidemisë së HIV-it do të çojë në një rritje të shumëfishtë të kostove të trajtimit dhe kujdesit shëndetësor. Prandaj, vendimi për të shkurtuar në mënyrë arbitrare është thjesht një politikë e keqe e shëndetit publik. Shërbimet për HIV të ofruara nga organizatat qytetare u krijuan nga Ministria e Shëndetësisë nga viti 2005 deri në 2017 me mbështetjen e Fondit Global për Luftën
kundër SIDA-s, i cili ka investuar 25.7 milionë dollarë për të ndërtuar përgjigjen kombëtare të vendit ndaj HIV-it. Ato përfshijnë shërbime në terren dhe stacionare për testimin anonim të HIV-it, këshillimin, shpërndarjen e mjeteve për parandalimin e HIV-it dhe infeksioneve të
tjera të gjakut dhe seksualisht të transmetueshme, diagnostikimin dhe trajtimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme, shërbimet e lëvizshme gjinekologjike, mbështetjen për njerëzit që jetojnë me HIV dhe njerëzit që trajtohen për varësi nga droga dhe shërbime të tjera plotësuese. Që nga viti 2018, pas përfundimit të mbështetjes së jashtme financiare, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka marrë zyrtarisht si detyrim financimin e shërbimeve për parandalimin e HIV-it për grupet e ekspozuara ndaj rrezikut më të lartë dhe është angazhuar në politikat e saj për të garantuar qëndrueshmëri në të ardhmen.
Në Maqedoni të rinjtë ende vdesin nga HIV, dhe sipas metodologjisë së Qendrës Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve, vlerësohet se edhe një e treta (34%) e numrit të përgjithshëm të personave që jetojnë me HIV në vend nuk janë në dijeni se e kanë virusin. Me këtë Maqedonia është dukshëm prapa mesatares botërore, e cila për vitin 2020 ishte vetëm 16%. Objektivi global deri në vitin 2025 është të zvogëlohet përqindja e njerëzve që nuk janë të vetëdijshëm se kanë HIV në më pak se 5%, gjë që do të çojë në një rënie drastike të transmetimit të infeksionit dhe do të bëjë të mundur t'i jepet fund epidemisë së HIV deri në vitin 2030. Të vetëdijshëm për luftën në Ukrainë, ku po humbasim miqtë dhe kolegët tanë, të vetëdijshëm për pasojat e Kovid-19 dhe krizën energjetike, paralajmërojmë se kujdesi shëndetësor duhet të ruhet për të gjithë qytetarët, përfshirë më të margjinalizuarit, shëndeti i të cilëve reflektohet mbi shëndetin e të gjithë popullatës. Parandalimi tek grupet e cenueshme dhe tek të rinjtë nuk duhet të jetë viktimë e politikave për racionalizimin e buxhetit të shtetit. Përndryshe, rritja e epidemisë së HIV-it vetëm sa do të rrisë kostot dhe shteti do ta paguajë me humbjen e jetëve njerëzore. Duke pasur parasysh situatën alarmante dhe duke iu referuar detyrimeve të vendit sipas Deklaratës Politike të Kombeve të Bashkuara për HIV dhe AIDS të qershorit 2021, përfshirë detyrimin për t'i dhënë fund epidemisë së HIV-it, si dhe detyrimet e ndërmarra nga qeveria për të garantuar vazhdimësinë e programeve për HIV, ne kërkojmë:
1. Të korrigjohet urgjentisht thirrja publike e publikuar për shoqatat që do të zbatojnë aktivitete parandaluese të HIV-it në përputhje me shumat e parashikuara në Programin për mbrojtjen e popullsisë nga infeksioni HIV për vitin 2022, miratuar nga Qeveria në shkurt të këtij viti;
2. Qeveria dhe Kuvendi duhet të garantojnë përfundimisht vazhdimësinë e sistemit tashmë të krijuar për mbrojtjen nga HIV. Kjo do të thotë: Kuvendi duhet t’i miratojë pa vonesë dhe në tërësi ndryshimet në Ligjin për kujdesin shëndetësor të cilat janë në procedurë parlamentare dhe t’i referohen mekanizmit të përfshirjes së shoqatave në zbatimin e programeve shëndetësore, ndërsa Ministria e Shëndetësisë duhet të
hartojë akte nënligjore që do të përmbushin obligimet nga konkluzionet e miratuara nga Qeveria në shtator 2017 dhe obligimet nga Strategjia e mëparshme dhe aktuale e Qeverisë për bashkëpunim dhe zhvillim të sektorit civil;
3. Për shkak të vonesës së gjatë në shpalljen e thirrjes publike, Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë përmes mbështetjes së ndërhyrjes për rimbursimin e shpenzimeve të shoqatave për tremujorin e parë të vitit 2022 të bëra për shkak të mirëmbajtjes së tyre të përkushtuar të përgjigjes kombëtare ndaj HIV.