Duke u bazuar në anketat që i kemi realizuar në vitin 2019 dhe 2020 mbi qëndrimet e prindërve dhe mësimdhënësve, edukatorëve special dhe shërbimeve profesionale , hulumtimi më i fundit mbi qëndrimet e mësimdhënësve për futjen e edukimit gjithëpërfshirës seksual (EGJS) në arsimin fillor ofron një pasqyrë të ndryshimeve që kanë ndodhur mes mësimdhënësve pas zbatimit të pilot programit për edukimin gjithëpërfshirës seksual, si dhe pas debateve të shumta pro dhe kundër futjes së një lënde të tillë fakultative, të cilat në vazhdimësi janë zhvilluar me intensitet të ndryshëm në publik, veçanërisht në rrjetet sociale.
Konkluzioni më i përgjithshëm që doli nga ky hulumtim është se te mësimdhënësit dhe punëtorët e shërbimeve profesionale në shkollat fillore mbizotëron qëndrimi afirmativ ndaj nevojës së futjes së mësimit formal për edukimin seksual, si dhe në periudhën nga fillimi i formalizimit të idesë, deri në momentin e përfundimit të pilot – projektit, mbështetja është në rënie të lehtë.
Dhe ndërsa përqindja e vogël e rënies të mbështetjes së përgjithshme mund t’i atribuohet kryesisht propagandës negative, e cila në periudha të caktuara pas përditësimit të Konceptit për arsimin fillor arriti në nivelin e demonizimit real të vetë idesë, përsëri theksojmë se një pjesë e konsiderueshme e mësimdhënësve e përfshirë (gjithsej 1652) dëshirojnë të përfshihen në trajnime për realizimin e këtyre përmbajtjeve, sepse besojnë se informacioni, qëndrimet dhe aftësitë që nxënësit do t’i fitonin përmes këtij mësimi janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe relevante.
Sipas tyre, pengesat për zbatimin e suksesshëm të programit qëndrojnë më së shumti në faktorë jashtë shkollës, pra në mosgatishmërinë e komunitetit apo prindërve për të pranuar edukimin sistematik të adoleshentëve në sferën e seksualitetit
Hulumtimi është i disponueshëm në shqip dhe në maqedonisht.