17 maj 2023 – Edhe pse ka një rritje të përdorimit të kontracepsionit në vend, nga 9.8% në 2005 në 14% në 2020, megjithatë 10% prej tyre janë për shkak të përdorimit të prezervativit. Kontraceptivë të tjerë, si pilula dhe spiralja, nuk përdoren ende. Është shqetësuese se mbi 35% e të rinjve ende mbështeten te ndërprerja e marrëdhënies seksuale si një metodë tradicionale për të parandaluar shtatzëninë e paplanifikuar. Nga ana tjetër, farmacistët janë zakonisht punëtorët e parë shëndetësorë nga të cilët të rinjtë kërkojnë informacion dhe shërbime për shëndetin seksual dhe riprodhues, veçanërisht në kushte krize. Kjo është arsyeja pse HERA ofroi një platformë për dialog mes të rinjve dhe farmacistëve në kuadër të konferencës kombëtare “Të rinjtë dhe farmacistët – Së bashku për kontracepsion të aksesueshëm!”.
“Ne kemi probleme sistematike, por nuk kemi zgjidhje sistemike! Është lënë në mëshirën dhe vullnetin e mirë të individëve dhe disa organizatave që të bëjnë parandalimin dhe edukimin e popullatës dhe gjatë pandemisë Covid-19 u theksuan edhe më shumë problemet që kemi pasur kohët e fundit. Ka të rinj që financiarisht nuk mund të përballojnë kontraceptivët, kështu që e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga shtatzënia e paplanifikuar dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme është të mbështeten në sektorin joqeveritar, i cili i siguron këto mjete në terren”, tha Marija Gjorgjievska, vullnetare në HERA.
Nga ana tjetër, vullnetarja Martina Pavlloviç e theksoi domosdoshmërinë e futjes së edukimit gjithëpërfshirës seksual: “Vitet e fundit jemi përballur me epidemi të disa infeksioneve seksualisht të transmetueshme që mendonim se nuk ekzistonin më. Vetëm të rinjtë e vetëdijshëm dhe të arsimuar do të dinë se çfarë është e drejtë, cilat janë të drejtat e tyre dhe si t’i pretendojnë dhe t’i gëzojnë ato.”
“Çmimi i lartë në treg, papunësia dhe mosndërgjegjësimi i të rinjve për llojin dhe mënyrën e përdorimit të kontraceptivëve janë barrierat më të zakonshme me të cilat përballen të rinjtë. Këshilla më e rëndësishme që u japin farmacistët është të konsultohen me gjinekologun e familjes”, tha Vesna Stavrova, kryetare e Odës Farmaceutike. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që Ministria e Shëndetësisë të përfshijë farmacistët në programet e saj parandaluese sepse ata janë “punëtorët shëndetësorë më të aksesueshëm, që do të thotë se do të përfitonin jo vetëm qytetarët, por edhe vetë sistemi shëndetësor”.
Gjinekologia Tatjana Gurzhanova bën me dije se në shoqërinë tonë ekziston “hormonofobia” dhe informimi i pamjaftueshëm e për rrjedhojë edhe niveli i ulët i përdorimit të kontraceptivëve. Kontracepsioni hormonal, tha ajo, ekziston që nga viti 1960 dhe deri më tani janë zhvilluar preparate plotësisht të sigurta, efektet negative të të cilave janë reduktuar në minimum. “Të rinjtë preferojnë të vizitojnë farmacinë sesa mjekun e familjes apo gjinekologun, prandaj edhe edukimi është i rëndësishëm për farmacistët. Për të bërë rekomandimet e duhura, farmacisti duhet të bëjë pyetjet e duhura. Shtatzënia e paplanifikuar ka shumë më tepër efekte negative shëndetësore sesa kontracepsioni – si social ashtu edhe psikologjik – që nuk janë jetëshkurtër dhe jo të kthyeshëm. Përveç kësaj, rekomandohet gjithmonë që farmacistët të këshillojnë të rinjtë që të përdorin kontracepsionin barrierë për të parandaluar infeksionet”.
Irina Luçeska nga Fondi për Sigurim Shëndetësor deklaroi se lista pozitive e barnave nuk është zgjeruar për 13 vjet dhe se në të nuk ka asnjë mjet kontraceptiv. “Për këtë, Maqedonia kritikohet nga agjencitë globale të zhvillimit, ndoshta me të drejtë. Por nga muaji mars e në vazhdim, pasi të jetë miratuar Rregullorja e re, çdo prodhues mund të aplikojë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të fillojë procedurën për vendosjen e kontraceptivit në Listën pozitive. Nëse farmacistët janë pjesë e sistemit të këshillimit dhe informacionit për përdorimin e kontracepsionit, situata në vend sigurisht që do të përmirësohet”.
Biljana Bozhinovska, farmaciste dhe pronare e farmacisë “Dna Annie Farm”, theksoi se farmacitë janë hallkë e rëndësishme në përcjelljen e informacionit të saktë tek të rinjtë, por edhe tek prindërit e tyre. “Duke përdorur politikën e reklamave, farmacitë mund të kontribuojnë në luftën kundër stigmës dhe paragjykimeve për shëndetin seksual dhe riprodhues. Nga ana tjetër, në vetë farmacinë, çdo farmacist duhet të tregojë empati ndaj të riut dhe të dijë të bëjë pyetjet e duhura në lidhje me kontracepsionin”.
“Në legjislacionin tonë nuk ka kufizime për përdorimin e kontracepsionit për të rinjtë, përveç pëlqimit të prindit kur bëhet fjalë për të miturit dhe personat me aftësi të kufizuara”, nënvizoi Sanja Sazdova, këshilltare shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë. “Ne presim miratimin e Strategjisë për të rinjtë, pas së cilës do të përgatisim një plan veprimi që do të përfshijë aktivitete për shëndetin seksual dhe riprodhues të të rinjve, duke përfshirë aksesin në kontracepsionin modern. Së bashku mund të punojmë për të arritur qëllimin dhe për të futur një kontraceptiv në Listën pozitive të barnave”.