Diskriminimi dhe stereotipat, niveli i ulët arsimor dhe kualifikimi, margjinalizimi socio-ekonomik, mungesa e mbështetjes dhe shërbimeve dhe aksesi në pajisjet digjitale dhe interneti janë pengesat kryesore me të cilat përballen gratë rome dhe përfituese të asistencës minimale të garantuar për të hyrë në tregun e punës, tregon analiza jonë.
Shkalla e punësimit te romët është 23%, që është afërsisht dy herë nën mesataren kombëtare. Të dhënat për punësimin e grave rome janë alarmante – vetëm 8%, që tregon për sfida të mëdha dhe një hendek drastik gjinor. Në të njëjtën kohë, duhet theksuar se rreth 25% e komunitetit rom punon joformalisht: burrat merren kryesisht me tregti, shërbime taksi, ndërtim dhe bujqësi, ndërsa gratë me tregti dhe shërbime higjienike. Mungesa e burimeve financiare është arsyeja më e rëndësishme për mos frekuentimin e kopshtit, shkollës fillore dhe të mesme. Pasiguria financiare e bën ndikimin e saj edhe kur bëhet fjalë për shëndetin: sipas treguesve bazë të shëndetit, jetëgjatësia e romëve është 10 vjet më e shkurtër se mesatarja kombëtare.
Prandaj, krahas përcaktimit dhe mbështetjes me argumente të ekzistencës së pengesave për shkak të të cilave gratë rome dhe përfituese të asistencës minimale të garantuar e kanë më të vështirë ose aspak aksesin në tregun e punës, kjo analizë jep edhe sugjerime se si të përmirësohen politikat publike për të kapërcyer përfundimisht sfidat me të cilat po përballen këta bashkëqytetarë tanë.
Të dhënat e analizës tregojnë pa mëdyshje se nëse duam të krijojmë kushte dhe mundësi për punësim të denjë dhe pavarësi ekonomike – që do të kontribuojë në përmirësimin e situatës së përgjithshme socio-ekonomike në komunitet – autoritetet duhet të marrin masa të rëndësishme. Kur themi kompetentë nënkuptojmë institucionet si Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Agjencia e Punësimit që kontrollojnë aksesin në tregun e punës dhe që kanë detyrim ligjor të zbatojnë ligjet dhe të mbrojnë të drejtat e këtyre qytetarëve.
Analiza është në dispozicion në gjuhën maqedonase dhe angleze.