Me ueb faqe të përbashkët në dy gjuhë për kontracepsionin, Instituti i Shëndetit Publik dhe HERA e përmirësojnë aksesin në informacione të sakta dhe të kuptueshme për metodat kontraceptive dhe kujdesin për shëndetin seksual dhe riprodhues të qytetarëve.
30 qershor 2023 – Në konferencën e sotme për shtyp, Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe HERA – Asociacioni për edukim shëndetësor e prezantuan ueb faqen e përbashkët për metodat e kontracepsionit https://kontracepcija.mk – e para në vend që është plotësisht e përkushtuar ndaj kontraceptivëve dhe e mbështetur nga një institucion shëndetësor kombëtar. E krijuar në bashkëpunim me Asociacionin Maqedonas të Gjinekologëve dhe Obstetërve (MAGO), Qendrës për Mjekësi Familjare – Fakulteti i Mjekësisë Shkup dhe Shoqatës Mjekësore të Maqedonisë dhe me mbështetjen e Forumit Parlamentar Evropian për të Drejtat Seksuale dhe Riprodhuese, kjo ueb faqe ka për qëllim të jetë një burim i besueshëm informacioni në gjuhën maqedonase dhe shqipe, veçanërisht për të rinjtë të cilëve shpesh u mungon informacioni për shëndetin seksual dhe riprodhues.
“Në kuadër të Planit të veprimit për zbatimin e Strategjisë kombëtare për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe si rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer me HERA, Instituti i Shëndetit Publik ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me këtë organizatë qytetare për përmirësimin e edukimit shëndetësor e të gjithë qytetarëve, veçanërisht të rinjve. Besojmë se me ndihmën e kësaj ueb faqeje në dy gjuhë kontribuojmë në ngritjen e vetëdijes së popullatës për kujdesin ndaj shëndetit seksual dhe riprodhues dhe në këtë mënyrë në uljen e pasojave të padëshiruara, ndër të cilat janë shtatzënia e paplanifikuar dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme”, tha prof. Elena Qosevska nga Instituti i Shëndetit Publik.
“Ideja e krijimit të një ueb faqeje të tillë erdhi nga Forumi Parlamentar Evropian për të Drejtat Seksuale dhe Riprodhuese, i cili ka monitoruar rregullisht situatën me aksesin në informacion dhe shërbime për kontracepsionin në të gjithë Evropën për një kohë të gjatë. Atlasi i tij evropian i kontracepsionit tregon se ka ende shumë punë për të bërë në këtë fushë. Krijimi i kësaj ueb faqeje është një hap i shkëlqyeshëm drejt ofrimit të informacionit të saktë dhe lehtësisht të aksesueshëm për të gjithë, dhe veçanërisht për të rinjtë në situata të cenueshme, të cilët, sipas hulumtimit tonë, gjatë pandemisë kishin nevojë, por nuk mund të gjenin informacion për kontracepsionin, infeksionet seksualisht të transmetueshme, praktikimin e seksit të sigurt e kështu me radhë”, tha Andrijana Papiq Mançeva nga HERA.
Ajo e prezantoi ueb faqen për kontracepsionin, duke theksuar se përveç informacioneve për mënyrën e funksionimit, koston dhe disponueshmërinë e të gjitha metodave të kontracepsionit, këtu mund të gjeni përgjigje për pyetjet më të zakonshme rreth kontraceptivëve, si dhe të parashtrohen pyetje për ekspertët nga institucionet dhe shoqatat përkatëse shëndetësore.
Edhe pse planifikimi familjar mund ta parandalojë vdekshmërinë dhe sëmundjen e nënave duke vonuar shtatzëninë, duke ruajtur hapësirën optimale midis dy shtatzënive, duke parandaluar shtatzënitë dhe ndërprerjet e paplanifikuara dhe me rrezik të lartë, përdorimi i metodave moderne kontraceptive në vend është ende shumë i ulët.
“Sipas hulumtimit të grupeve me shumë tregues, 59.9% e grave në vend që janë të martuara ose jetojnë në një bashkësi përdorin (ose partneri i tyre përdor) ndonjë metodë kontraceptive, me vetëm 14% që përdorin një metodë moderne kontracepsioni, ndërsa shumica nga 45,6 % e mbetur e praktikojnë metodën e marrëdhënieve të ndërprera. Për krahasim, vlerësohet se në mbarë botën 44% e grave (dhe partnerëve të tyre) përdorin metoda moderne të kontracepsionit kundrejt vetëm 4% që përdorin metoda tradicionale”, theksoi Prof. Katarina Stavriq, koordinatore e Qendrës për mjekësi familjare në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup.
Prof. dr. Gligor Tofoski, president i MAGO-s, iu referua Udhëzimeve Kombëtare për Planifikim Familjar që Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor e miratuan në vitin 2019: “Ky udhëzim është një hap tjetër i rëndësishëm drejt përmirësimit të aksesit në informacion dhe shërbime për planifikimin familjar sepse ai gjithashtu përfshin mjekët e kujdesit primar, duke përfshirë mjekët familjar, në ofrimin e informacionit dhe shërbimeve kontraceptive. Në këtë mënyrë përmirësohet ndjeshëm mbrojtja e shëndetit seksual dhe riprodhues të qytetarëve, veçanërisht në zonat ku nuk ka mjaftueshëm gjinekologë”, shpjegoi ai.
Kundër përpjekjeve për përmirësimin e aksesit në informacione rreth kontracepsionit qëndron fakti se në vend asnjë nga kontraceptivët në dispozicion nuk mbulohet nga Fondi për Sigurim Shëndetësor, edhe pse Qeveria në vitin 2017 kishte premtuar se kjo do të ndryshonte.