13 prill 2023 – Shkalla e shtatzënisë së paplanifikuar tek adoleshentët në vend është 11% dhe është një nga më të lartat në Evropë. Për më tepër, shkalla e lindjeve minorene është 15.7 në 1.000, që është pothuajse tre herë më e lartë se mesatarja prej 6 për 1.000 lindje për vendet e Bashkimit Evropian. Numri më i madh i nënave të mitura janë rome, por qasja e tyre në informacion dhe shërbime për shëndetin seksual dhe riprodhues është e kufizuar. Ky është një pjesë e informacionit që u nda në debatin e kësaj jave “Sa nëna të reja dhe veçanërisht gra rome njihen dhe shërbehen nga sistemi i kujdesit shëndetësor dhe social” organizuar nga HERA – Asociacioni për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtim.
Sipas hulumtimit për ndikimin e Covid-19 në aksesin e të rinjve në informacionin për shëndetin seksual dhe riprodhues, i cili është realizuar nga grupi rinor i krijuar në kuadër të projektit rajonal “Të rinjtë flasin, të rinjtë zgjedhin”, deri në 38 % e të rinjve romë të mbuluar u përballën me vështirësi për të marrë informacionin e nevojshëm mbi shëndetin seksual dhe riprodhues (SHSR). Të rinjtë nga komunitetet e cenueshme treguan dy herë më shumë nevojë për informacione mbi shumë tema të SHSR në krahasim me popullatën e përgjithshme. Për nënat e reja dhe gratë shtatzëna, gjë që është e pritshme, pyetjet rreth shtatzënisë, lindjes dhe kujdesit pas lindjes ishin me interesin më të madh, ndërsa të rinjtë romë ishin më të interesuar për mbrojtjen nga infeksionet gjinekologjike, menstruacionet apo trajtimin e problemeve hormonale. Stigma ekzistuese sociale dhe diskriminimi, si dhe mungesa e dokumentacionit shëndetësor dhe sigurimit, kanë kontribuar në vështirësimin e aksesit të romëve në shërbimet e SHSR. Ndjenja e frikës dhe ankthit tek nënat e reja për shkak të ndërgjegjësimit të dobët për Covid-19 ka ndikuar në sigurinë e tyre shëndetësore.
Aziza Sali nga Shoqata “Nisma për të drejtat e gruas nga Shuto Orizari” e ilustron seriozitetin e problemit përmes dy rasteve të nënave të ndjera, të cilat për shkak të mungesës së mjekut gjinekolog në komunë gjatë periudhës së pandemisë, nuk patën mundësi të bëni kontrolle të rregullta gjinekologjike.
“Pa qasje tek gjinekologu familjar në vetë komunën, vajzat dhe gratë nuk mund të merrnin as vërtetimin e shtatzënisë së kontrolluar, gjë që krijonte një pengesë shtesë në realizimin e të drejtave sociale”, tha Sara Sejfulla nga Qendra për Punë Sociale.
Nga ana tjetër, përvoja e Dr. Llambe Kërsteski, i cili prej 6 muajsh punon si gjinekolog familjar në Shuto Orizari, tregon se qasja tek gjinekologu është jashtëzakonisht e rëndësishme në kujdesin ndaj shëndetit riprodhues, por edhe për mirëqenien e përgjithshme të një gruaje. “Për momentin më kontaktojnë 1.000 gra rome. Deri më tani kanë lindur rreth 15 gra rome, të gjitha të gjalla dhe të shëndetshme”, tha ai.
Në mesin e panelistëve ishte edhe Nada Tofoska, punëtore sociale nga ISHP Klinika Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë, e cila iu referua pasojave sociale të shtatzënisë së mitur dhe amësisë: “Për shkak të shtatzënisë, vajzat dhe gratë e mitura largohen nga procesi arsimor, prandaj edhe më vonë renditen më ulët në tregun e punës. Kjo ka pasoja afatgjata jo vetëm për pavarësinë e tyre ekonomike, por edhe për shëndetin e tyre mendor. Shumë shpesh ata përballen me depresion, si dhe dhunë fizike dhe seksuale, e cila më pas ndikon në mënyrë dramatike qëndrimin e tyre ndaj fëmijëve”.
Së fundi, u konkludua se si sektori i shëndetit publik ashtu edhe i shoqërisë civile duhet të punojnë shumë më me përkushtim për të informuar gratë rome në periudhën riprodhuese për shërbimet në dispozicion dhe për përfitimet e vizitave të rregullta te gjinekologu, përfshirë masat e parashikuara për grupet e cenueshme të grave në Programet parandaluese të Ministrisë së Shëndetësisë. Pjesë e zgjidhjes mund të jetë padyshim edukimi gjithëpërfshirës seksual përmes të cilit të rinjtë dhe të rejat rome do të edukohen për rëndësinë e moshës në planifikimin e martesës dhe shtatzënisë në ndryshim nga praktikat ekzistuese të dëmshme që dalin nga tradita.