Të tmerruar nga informacionet dhe pikëpamjet e prezantuara nga gazetari Dragan Pavlloviq – Llatas në transmetimin e parë të podkastit të Stefan Llazarovit, anëtarët e Platformës për barazi gjinore reagojnë ndaj fjalimit në podkast dhe kërkojnë që të ndërpritet transmetimi i tij. Ne besojmë se podkasti e normalizon sjelljen e dhunshme të bazuar në gjini përmes shembullit të përjetuar të Llatasit, që për të është një mënyrë e zakonshme që djemtë të kenë përvojën e tyre të parë seksuale në moshën 15-vjeçare. Njëkohësisht e dënojmë edhe deklaratën e drejtuesit të podkastit Stefan Llazarov në media, i cili nuk u distancua nga një përmbajtje e tillë, por përkundrazi e mbështeti fjalimin e Llatasit.
Emisioni, i regjistruar me transmetim të drejtpërdrejtë më 14.02.2023, shënoi mbi 125 mijë shikime në 5 ditët e fundit. Si Platformë për barazi gjinore, besojmë se numri i madh i shikimeve të këtij emisioni ndikon në opinionin publik, veçanërisht tek të rinjtë të cilët mund të arrijnë lehtësisht në përfundimin se “shuplaka ndaj një vajze” para marrëdhënies seksuale, sipas deklaratës së Llatasit dhe Llazarovit, është sjellje krejtësisht normale e djemve dhe në të njëjtën kohë nuk mbajnë asnjë përgjegjësi apo pasojë për një veprim të tillë. Edhe pse në përshkrimin e podkastit janë përmendur rregulla se gjuha e urrejtjes dhe racizmi nuk lejohen, ky emision përmban pikërisht një narrativ të tillë, prandaj si anëtarë të Platformës kërkojmë që ai të fshihet nga kjo platformë video-sociale dhe të ndërpritet plotësisht transmetimi i këtij podkasti problematik.
Nga ajo që ka dëshmuar publiku, është e qartë se Dragan Pavlloviq – Llatas dhe Stefan Llazarov janë përkrahës të sjelljeve të dhunshme dhe të poshtërimit të grave në marrëdhëniet seksuale. Ata i përdorin platformat e tyre për të promovuar dhe normalizuar dhunën ndaj grave. Si mbështetës të ruajtjes së “vlerave tradicionale”, pyesim nëse dhunimi dhe mburrja për të është vlera që ata e mbrojnë dhe promovojnë?!
E mirëpresim reagimin e Sektorit për krime kompjuterike të MPB-së me dërgimin e një njoftimi në Prokurorinë e Shkupit pas intervistës së jutjuberit Stefan Llazarov me Dragan Pavlloviq-Llatasin. Kërkojmë që Prokuroria të veprojë brenda afatit ligjor dhe të parashtrojë aktakuzë për veprën penale të Përhapjes së materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik.
I bëjmë apel sektorit privat që e mbështet Stefan Llazarovin dhe i shfrytëzon shërbimet e tij për reklama, të ndërpresë bashkëpunimin me të. Në të kundërtën, me mbështetjen e tyre për këtë podkast, ata po e mbështesin dhe mundësojnë përhapjen e mizogjinisë, dhunën me bazë gjinore, racizmin dhe gjuhën e urrejtjes. Gjithashtu, në një kohë kur në luftën kundër dhunës ndaj grave, ndër të tjera, është i nevojshëm ndërgjegjësimi i publikut, personazhet publike kanë një përgjegjësi të veçantë në përballje me këtë retorikë dhe në promovimin e vlerave pozitive që do të kontribuojnë në çrrënjosjen e dhunës, jo drejt promovimit të saj.
Organizatat-anëtare të Platformës për barazi gjinore:
- Tiiiit! Inc.
- Lufto si femër
- Iniciativa qytetare femërore ANTIKO
- Shoqata Forumi i gruas
- Shoqata për mundësi të barabarta Semper
- Shoqata për zhvillim rural lokal
- Shoqata për mbështetje të punëtorëve të margjinalizuar STAR-STAR Shkup
- Shoqata për avancimin e barazisë gjinore Aksioni “Zdruzhenska”
- Shoqata për emancipim, solidaritet dhe barazoi të grave – ESE
- Shoqata për zhvillim edukativ EKVALIS
- Instituti për shkenca shoqërore dhe humane
- Koalicioni “Margjinat”
- LezFem
- Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi
- Rrjeti kombëtar kundër dhunës mbi gratë dhe dhunës në familje
- Këshilli kombëtar për barazi gjinore
- organizata e grave të qytetit të Shkupit (OGSH)
- Organizata e grave të Komunës së Sveti Nikoles
- Organizata e grave “Kumanovka”
- Reaktor – Hulumtim në veprim
- Koalicioni rural
- Stela
- TAKT
- Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut
- HERA – Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim
- HOPS – Opsione për jetë të shëndetshme Shkup
- Shoqata humanitare “Nëna”
- Qendra për hulumtim dhe krijimin e politikave (QHKP)