Nga data 12 deri më 14 shtator 2024, në Hotel Bistra, Mavrovë, u mbajt punëtori për grupin e liderëve për barazi gjinore, organizuar nga Shoqata HERA – Asociacioni për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtim, me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.
Në punëtori u prezantuan me sukses konceptet e gjinisë, barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale për të përmirësuar njohuritë dhe aftësitë e pjesëmarrësve. Pjesëmarrësit patën mundësinë të analizojnë masa dhe politika të caktuara, përmes teknikave të përshtatshme për integrimin e perspektivës gjinore në proceset e politikëbërjes të bazuara në fakte.
Njohuritë teorike të pjesëmarrësve për bazat e konceptit gjinor, barazinë gjinore dhe grupet e cenueshme i përcolli Igor Jadrovski, kryetar i Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, së bashku me Neda Çalovska, eksperte për çështje gjinore.
Në punëtori u prezantua gjendja me barazinë gjinore në Maqedoninë e Veriut dhe u diskutuan rekomandimet e duhura për përmirësimin e politikave aktuale, si dhe implementimi i proceseve për vlerësimin e ndikimit të rregullores (PVR), në partneritet me përfaqësues të qeverisë, gjegjësisht Ministrisë së Administratës Publike.
Pjesëmarrësit gjithashtu u njohën me shtyllat bazë të metodologjisë BGJPS – Barazia Gjinore dhe Përfshirja Sociale, ndërsa ligjëratat u organizuan nga HERA. Nëpërmjet aplikimit të metodologjisë dhe mjeteve BGJPS, mundësohet që masat dhe politikat të bëhen të përgjegjshme gjinore dhe të nxisin përfshirjen sociale në të gjitha nivelet, si në krijimin e tyre ashtu edhe në zbatimin dhe vlerësimin e rezultateve të arritura.
Ky event është pjesë e projektit “Së bashku për barazinë gjinore: Ndërtimi i mbështetjes për politikat gjithëpërfshirëse gjinore”, i cili synon të forcojë mbështetjen për politikëbërjen gjithëpërfshirëse gjinore në vend.