Korniza për përfshirjen e barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale në hartimin e politikave të Republikës së Maqedonisë së Veriut
Barazia gjinore dhe përfshirja sociale (BGJPS) janë thelbësore për arritjen e synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm global. Një numër në rritje studimesh tregojnë se, duke përfshirë BGJPS në sfera të ndryshme të jetës shoqërore, përmirësohet shëndeti dhe mirëqenia sociale e njerëzve. Nëpërmjet aplikimit të duhur të konceptit BGJPS në hartimin e politikave kombëtare,1 promovohet një kulturë e ndryshimeve pozitive në shoqëri, për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate dhe të drejtë nevojave socio-ekonomike të grave, grupeve të cenueshme dhe të margjinalizuara.
Koncepti i barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale (BGJPS) i referohet shpërndarjes së pabarabartë të pushtetit midis njerëzve bazuar në seksin, gjininë, moshën, kapitalin, vendbanimin, përkatësinë etnike, aftësinë e kufizuar ose një kombinim të tyre (por duke mos përjashtuar arsyet e tjera të margjinalizimit, në varësi të kontekstit social të vendit). Koncepti fokusohet në nevojën për të vepruar në mënyrë aktive në shoqëri për të balancuar sa më shumë marrëdhëniet e pushtetit, për të zvogëluar dallimet midis njerëzve dhe për të siguruar të drejta, mundësi, burime dhe respekt të barabartë për të gjithë individët, pavarësisht nga statusi i tyre shoqëror.
Korniza mund të përdoret gjithashtu në procesin e përgatitjes së një politike specifike që analizon problemet, nevojat dhe pritshmëritë e grave dhe grupeve të tjera të cenueshme shoqërore për çështje të ndryshme sociale. Për më tepër, zbatimi i tij mundëson identifikimin e qasjeve dhe masave specifike për të kapërcyer pabarazitë gjinore dhe për të përcaktuar strategji që nxisin pjesëmarrje më të madhe dhe fuqizim të grupeve të cenueshme të qytetarëve.
Kjo kornizë synohet të përdoret nga përfaqësues të organeve të ekspertëve, komisioneve, grupeve të punës për barazinë gjinore brenda pushtetit kombëtar dhe lokal dhe nga persona përgjegjës për barazinë gjinore në ministri dhe organe të tjera të administratës shtetërore. Korniza mund të përdoret gjithashtu nga autoritete dhe organe të tjera të caktuara nga institucionet e sistemit ose grupet ndër-sektoriale që kanë kapacitet dhe përvojë në kryerjen e analizave gjinore. Së fundi, kjo kornizë mund të përdoret nga organizata të tjera, përfshirë sektorin e shoqërisë civile (me disa përshtatje), si një vegël për vlerësimin e ndikimit të BGJPS në programe, rregullore, projekte dhe struktura qeverisëse.
Korniza për përfshirjen e barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale në hartimin e politikave është e disponueshme në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe.


