Vlerësimi i pilot programi për edukimin gjithëpërfshirës seksual tregon se nxënësit e përfshirë dinë shumë më tepër për shëndetin dhe të drejtat e tyre seksuale dhe riprodhuese, për dallim nga shokët e tyre të klasës në shkollat e tjera anembanë vendit.
7 dhjetor 2022 – Byroja për Zhvillimin e Arsimit, në bashkëpunim me HERA – Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim, mbajti tryezë të rrumbullakët ku u prezantuan gjetjet nga Vlerësimi i pilot-programit për edukimin gjithëpërfshirës seksual (EGJS) që u zbatua në vitin 2021 në klasën e 9-të në shkollat fillore “Jan Amos Komenski” dhe “Kuzman Shapkarev” në Shkup dhe “Bratstvo – Migjeni” në Tetovë.
“Edukimi gjithëpërfshirës seksual promovon sjellje të shëndetshme”, theksoi Ajshe Ajrullai nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) në fjalën e saj përshëndetëse, duke theksuar se qëllimi i politikave arsimore të zhvilluara me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës është që të kontribuojnë në zhvillimin e individëve të shëndetshëm, të cilët do të kenë njohuri dhe aftësi që do t’i ndihmojnë të rinjtë të marrin vendime të shëndetshme që korrespondojnë me vlerat e tyre dhe me vlerat në mjedisin e tyre të jetesës.
“Besoj se tryeza e rrumbullakët do të jetë inkurajuese për një numër të madh të shkollave fillore në zbatimin e mëtutjeshëm të edukimit seksual, ashtu siç është parashikuar në Konceptin për arsimin fillor. Gjithashtu besoj se do të rritet edhe numri i mësimdhënësve që do ta zbatojnë në të ardhmen. Dhe se do të ketë sfida dhe kundërshtarë – do të ketë, por nëse jemi më të shumtë dhe më të fortë, nuk do të na dekurajojnë. Prandaj te HERA, e cila avokon fuqishëm që EGJS të mësohet në bankat shkollore , mund të shihni një partner që do t’ju mbështesë në atë rrugë”, tha Bojan Jovanovski, drejtor ekzekutiv i HERA.
Duke i prezantuar gjetjet e vlerësimit, i cili përfshinte edhe monitorimin e mësimdhënies nga këshilltarët e BZHA, vlerësuesja Sheruze Osmani Ballazhi theksoi se pilot-programi është në përputhje me qëllimet dhe standardet e UNESCO-s për zbatimin e mësimit të EGJS për fëmijët e moshës 13 deri në 15 vjet, si dhe që programi mësimor, mjetet mësimore dhe trajnimet dhe punëtoritë e realizuara ishin në përputhje me nevojat e mësimdhënësve për të rritur kompetencat e tyre për zbatimin e mësimdhënies për EGJS.
Të dhënat tregojnë se programi i përmirësoi shumë njohuritë e nxënësve për temat e trajtuara në përmbajtjet e EGJS, si dhe se nxënësit kanë një qëndrim dukshëm më pozitiv ndaj komponentëve të EGJS. Gjetjet cilësore tregojnë se trajnimet janë një faktor i rëndësishëm për zbatimin efektiv të programit. Megjithatë, mësimdhënësit e artikulojnë nevojën për të zgjeruar njohuritë për sa i përket fakteve shkencore dhe mjekësore për seksualitetin, por edhe për mbështetje nga një mësimdhënës tjetër ose edukator i jashtëm gjatë zbatimit të programit, dhe se në orët ku diskutohet për kontracepsionin, marrëdhëniet adoleshente dhe martesa, seksizmin dhe martesën dhe orientimet seksuale. Si nxënësit ashtu edhe mësimdhënësit besojnë se për të mundësuar studimin e plotë dhe efektiv të përmbajtjes tematike, programi i EGJS-së duhet të zbatohet në dy semestra me dyfish fond të orëve.
Nikolina Kenig, një nga hulumtueset e “Hulumtim mbi qëndrimet e mësimdhënësve për futjen e EGJS-së në arsimin fillor para dhe pas pilotimit të programit”, theksoi se një pjesë e konsiderueshme e mësimdhënësve të përfshirë (gjithsej 1652) do të dëshironin të përfshihen në trajnimin për realizimin e këtyre përmbajtjeve sepse konsiderojnë se informacionet, qëndrimet dhe aftësitë që nxënësit do të fitonin përmes këtij mësimi janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe relevante. Mësimdhënësit dhe kolegët pengesat për zbatimin e suksesshëm të programit i gjejnë më së shumti në faktorë jashtë shkollës, pra në mosgatishmërinë e komunitetit apo prindërve për të pranuar edukimin sistematik të adoleshentëve në sferën e seksualitetit”, shtoi ajo.
Për t’u përkujtuar, pilot-programi për EGJS është realizuar në kuadër të aktiviteteve jashtëshkollore si lëndë e lirë zgjedhore në klasën e nëntë, me gjithsej 36 orë gjatë gjysmë vjetorit të parë të vitit shkollor 2021/2022. Për këtë qëllim, sipas udhëzimeve dhe rekomandimeve të dhëna nga grupi punues shumësektorial i krijuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, u hartua një program mësimor në përputhje me mundësitë zhvillimore të nxënësve në moshën 15 vjeçare dhe një Doracak (draft version) me gjithsej 47 punëtori të shpërndara në shtatë komponentë: gjinia, lidhjet dhe marrëdhëniet, trupi dhe imazhi për trupin, shëndeti seksual dhe riprodhues, seksualiteti dhe dhuna. Përveç udhëheqjes me shkathtësi të nxënësve, roli i mësimdhënësve të trajnuar ishte të krijonin një mjedis të sigurt në të cilin nxënësit do të ndiheshin rehat duke ndarë dhe bërë pyetje, duke respektuar kufijtë e paracaktuar të tyre dhe të tjerëve.
Rezultatet e vlerësimit do të shërbejnë si bazë, nga njëra anë, për rishikimin ose plotësimin e programit mësimor, materialeve nga doracaku dhe programi mësimor, dhe nga ana tjetër, për përgatitjen e një Plani dhe Strategjie kombëtare për futjen e EGJS në arsimin fillor dhe të mesëm si lëndë e lirë zgjedhore ose e transferueshme brenda lëndëve përkatëse mësimore.