Pas kumtesës së Rrjetit për mbrojtje nga diskriminimi me rastin e mendimit të Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi (KMD) për Milenko Nedellkovski, prof. dr. Bekim Kadriu, anëtar i KMD, dërgoi reagim deri te Rrjeti me të cilin publikisht distancohet nga mendimi.
Më 06.12.2016 Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi me kumtesë deri te opinioni, mendimi i KMD me të cilin nuk vërtetohet diskriminim mbi bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor në emisionin “Milenko Nedellkovski Shou” e vlerësoi si të kundërt me Ligjin për pengimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi dhe si komentim joserioz dhe paushall i ligjeve të Republikës së Maqedonisë, me qëllim të gjetjes së argumenteve për mbrojtje të Milenko Nedellkovski. Pas kumtesës së dërguar, anëtari i Komisionit, prof. dr. Bekim Kadriu u distancua nga mendimi:
„Si anëtar i Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi duhet publikisht të distancohem nga “letra” e shkruar dhe e nënshkruar nga Kryetari i Komisionit, me të cilin letër veprohet sipas parashtesës numër 03-1307 nga viti 2016.
E para, kjo letër e Kryetarit nuk është kurrfarë qëndrimi i Komisionit. Letra nuk ka formë e as të vendimit, të mendimit ose të përfundimit. Me këtë, “letra” e këtillë nuk është miratuar në mbledhjen e Komisionit, por paraqet shprehje të vullnetit personal të kryetarit.
E dyta, me përfundimin e procedurës pas parashtresës në këtë mënyrë, pa miratimin e mendimit nga Komisioni si trup kolektiv, Kryetari e keqpërdor pozitën dhe i uzurpon kompetencat e Komisionit.
E treta, nga aspekti i përmbajtjes, unë si anëtar i komisionit nuk pajtohem me shumë pjesë nga “letra”, për çka, nëse e njëjta mbetet si e tillë, do të prezantoj dhe argumentoj mendim të ndarë.
Jam i sigurt se me qëndrimin tim pajtohen edhe anëtarët tjerë të Komisionit.“ – shkruan Kadriu.
Me këtë u vërtetuan dyshimet tona se kryetari i KMD, Aleksandar Dashtevski, punon në kundërshtim me Ligjin për pengim dhe mbrojtje nga diskriminimi, nuk e respekton pavarësinë e garantuar me Ligj dhe e shfrytëzon pozitën e vet si kryetar i institucionit për mbrojtje të diskriminuesve të afërt me pushtetin.
Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi i bën thirrje Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, menjëherë pas zgjedhjeve që ta shkarkojë Aleksandar Dashtevskin si kryetar i KMD, si dhe anëtarët tjerë të cilët nuk i plotësojnë kriteret e pavarësisë dhe profesionalizmit dhe të organizojë zgjedhje transparente të përbërjes së re të Komisionit, me qëllim që ky institucion të funksionojë në pajtim me Ligjin dhe të sigurojë mbrojtje nga diskriminimi i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
Pas formimit të Kuvendit të ri, Rrjeti do të dërgojë kërkesë deri te deputetët për shkarkim të Aleksandar Dashtevskit, për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe kryerjes joprofesionale dhe të pavetëdijshme të funksionit.
09.12.2016
Personi për kontakt: Dragana Drndarevska 078 200 675