“Një 19-vjeçare nga Kërçova ka raportuar se një shofer taksie nga Shkupi e ka prekur në trup gjatë transportit të saj”; “I dashuri e ka rrahur dhe e ka qëlluar me armë”, “Një burrë nga Kavadari e ka rrahur ish të dashurën dhe vajzën e saj 6-vjeçare”; “Një vajzë 14-vjeçare është njoftuar me një djalë në Instagram, ai e ka filmuar, e më pas e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me burra të dehur dhe të droguar”…
Këto janë vetëm disa nga titujt në mediat maqedonase lidhur me format e ndryshme të dhunës me bazë gjinore që i lexojmë për mirë mëngjes. Në vend që të krijojmë komunitete dhe mjedise ku çdo grua do të jetë e sigurt dhe e lirë, ne shohim se si pa kujdesin e duhur sistematik dhe shqetësimin për jetën dhe mirëqenien e vajzave dhe grave, mizogjinia dhe dhuna burojnë nga çdo pore të shoqërisë sonë.
Si Platformë për barazi gjinore, por edhe si aktiviste, feministe dhe qytetarë, jemi të tmerruar nga mënyra apatike dhe deklarative në të cilën trajtohet dhuna me bazë gjinore nga institucionet që jo vetëm janë të paaftë për të punuar në parandalimin e dhunës me bazë gjinore, por edhe dështojnë plotësisht në fushën e mbrojtjes, e cila çon në formën më ekstreme të dhunës ndaj grave – femicidin.
Jemi të brengosur se fajësimi i viktimave – tregimi “vetë e ka kërkuar” – që i ka rrënjët te urrjetja ndaj grave si vlerë, po bëhet një përgjigje gjithnjë e më e zakonshme ndaj dhunës. Ne jemi të shqetësuar se dhuna me bazë gjinore, në vend që të çrrënjoset, normalizohet më tej dhe përhapet në të gjitha sferat e ekzistencës sonë (edhe në hapësirën fizike dhe digjitale). Ne jemi të shqetësuar që seksizmi transmetohet si një normë shoqërore te brezat e rinj, të cilët, në mungesë të mbështetjes sistematike, edukimit gjithëpërfshirës seksual dhe një busull të duhur moral dhe etik, jo vetëm (do) të përjetësojnë këtë kulturë dhune, por (do) të përjetësojnë atë në çdo formë më ekstreme.
Në nivel lokal, rajonal dhe global, rastet e dhunës që fillojnë në internet dhe përfundojnë me shantazh, përdhunim dhe/ose forma të tjera të dhunës në hapësirën fizike janë gjithnjë e më të përfaqësuara. Veçanërisht të ekspozuara janë vajzat dhe të rejat, si në rastin e viktimës 14-vjeçare, e cila nën kërcënime dhe shantazhe është përdhunuar vazhdimisht në disa lokacione në Veles nga disa burra të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim. Ndërsa zgjidhja institucionale, pra drejtësia për viktimën, si dhe drejtësia për të gjitha viktimat e dhunës me bazë gjinore, është vendimtare në këtë luftë, ne duhet të fokusohemi në të njëjtën kohë te autorët që trajtojnë trupin dhe jetën e grave si pronë të tyre. Si ta ndalojmë këtë tendencë? Si të veprojmë me faktin që nën secilin prej këtyre raportimeve mediatike për dhunën me bazë gjinore, publiku ynë njëzëri thotë “ajo vetë e ka fajin”? Si e shohim fenomenin që sot u paralajmërua një protestë e organizuar nga të rinjtë në mbështetje të Andrew Tate, një influencues që mbron hapur urrejtjen dhe dhunën ndaj grave dhe që aktualisht ndodhet në paraburgim nën dyshimin për trafikim njerëzor dhe përdhunim? Si duhet ta shohim fenomenin që, për hir të disa përjashtimeve, shumica e djemve dhe burrave nuk ndihen të prekur dhe nuk e ndjejnë nevojën për t’u solidarizuar në luftën kundër dhunës me bazë gjinore? Çfarë komuniteti është ai që miraton dhe feston apo mbyll një sy ndaj dhunës?
Viktimat raportojnë gjithnjë e më shumë dhunë dhe dhuna nuk po zvogëlohet fare. Tregon se sistemi i parandalimit dhe mbrojtjes nuk funksionon. Në të njëjtën kohë, opinioni publik tregon se sa më të lira dhe të fuqizuara të jenë vajzat dhe gratë, aq më i përhapur është viktimizimi i dyfishtë. Për të mos u sulmuar/përdhunuar/vrarë, duhet të rrish në shtëpi është pak a shumë qëndrimi mesatar për këtë çështje. Dhe ndërsa është degraduese të hysh në një diskutim me atë narrativ, duam të theksojmë se shifrat dhe realiteti tregojnë të kundërtën. Jo vetëm që një grua është më pak e sigurt në shtëpi, por nuk ka asnjë vend ku një grua është e sigurt. Në këto kushte, është thjesht e pasigurt të ekzistosh si grua.
Kanë kaluar saktësisht dy vjet nga protestat lokale kundër dhunës me bazë gjinore. Ai mobilizim çoi në lëvizje minimale institucionale për këtë çështje, por nuk ka një angazhim gjithëpërfshirës, të përkushtuar, shumë sektorial dhe mbi të gjitha të sinqertë në këtë luftë. Mënyra deklarative me të cilën trajtohet dhuna me bazë gjinore na bën të jemi imun ndaj lajmeve për një tjetër abuzim, një tjetër përdhunim, një tjetër ngacmim, një tjetër femicid!
Përballë këtij realiteti të tmerrshëm kërkojmë mobilizimin e menjëhershëm institucional dhe miratimin e menjëhershëm të ndryshimeve në Kodin Penal për respektimin e Konventës së Stambollit. Ne kërkojmë mbështetje sistematike adekuate për çdo grua apo vajzë që i ka mbijetuar çdo lloj dhune, kërkojmë shërbime funksionale të përfaqësuara në mënyrë të barabartë në të gjitha rajonet, kërkojmë që të ndalet trendi i reduktimit të financimit vendas dhe mbështetje adekuate për të gjitha organizatat që i ofrojnë këto shërbime për qytetarët.
Si organizata të grave dhe organizata që punojnë për avancimin e të drejtave të njeriut, kërkojmë solidaritet nga të gjithë ju, në luftën për një përgjigje sistematike ndaj dhunës ndaj grave. Ju përkujtojmë: shteti që nuk vepron është shtet që përdhunon dhe heshtja e qytetarëve është bashkëfajësi. Luftën për drejtësi do ta zhvillojmë në të gjitha frontet!
Organizatat-anëtare të Platformës për barazi gjinore:
- Tiiiit! Inc.
- Lufto si femër
- Iniciativa qytetare femërore ANTIKO
- Shoqata Forumi i gruas
- Shoqata për mundësi të barabarta Semper
- Shoqata për zhvillim rural lokal
- Shoqata për mbështetje të punëtorëve të margjinalizuarSTAR-STAR Shkup
- Shoqata për avancimin e barazisë gjinore Aksioni “Zdruzhenska”
- Shoqata për emancipim, solidaritet dhe barazoi të grave – ESE
- Shoqata për zhvillim edukativ EKVALIS
- Instituti për shkenca shoqërore dhe humane
- Koalicioni “Margjinat”
- LezFem
- Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi
- Rrjeti kombëtar kundër dhunës mbi gratë dhe dhunës në familje
- Këshilli kombëtar për barazi gjinore
- organizata e grave të qytetit të Shkupit (OGSH)
- Organizata e grave të Komunës së Sveti Nikoles
- Organizata e grave “Kumanovka”
- Reaktor – Hulumtim në veprim
- Koalicioni rural
- Stela
- TAKT
- Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut
- HERA – Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim
- HOPS – Opsione për jetë të shëndetshme Shkup
- Shoqata humanitare “Nëna”
- Qendra për hulumtim dhe krijimin e politikave (QHKP)