Të rinjtë në Kumanovë do të mund të marrin këshillime psikologjike pa pagesë, edukim dhe të informohen për shëndetin seksual dhe riprodhues
Sot HERA – Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim e hapi qendrën e parë rinore “Dëshiroj të dijë” në Kumanovë, në bashkëpunim me Shtëpinë e shëndetit në Kumanovë, ku do të jetë edhe qendra. Kjo qendër rinore, e para e këtij lloji në Kumanovë, do të ofrojë shërbime psikologjike falas dhe konfidenciale për të rinjtë, shpërndarje të materialeve informative për shëndetin seksual dhe riprodhues, edukim të bashkëmoshatarëve për shëndetin seksual dhe riprodhues, si dhe hapësirë për aktivizëm rinor për të gjithë të rinjtë, dhe veçanërisht për ata që janë të përjashtuar nga shoqëria ose të margjinalizuar.
Qendra rinore “Dëshiroj të dijë” në Kumanovë u hap nga kryetarja e Këshillit drejtues të HERA-s Rumena Gjerdovska Kojçeski e cila tha se falë mbështetjes dhe bashkëpunimit me Shtëpinë e shëndetit në Kumanovë dhe pushtetin lokal, të rinjtë në Kumanovë tani do të kenë akses në shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues plotësisht falas dhe konfidenciale. “Qendra në Kumanovë është hapur sipas shembullit të dy qendrave ekzistuese rinore “Dëshiroj të dijë” të HERA-s në Shkup të cilat ekzistojnë më shumë se 15 vjet dhe janë të njohura nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik dhe Klinika infektive. Ato vizitohen çdo vit nga 2,000 deri në 3,000 persona për ekzaminime dermato-venerologjike dhe gjinekologjike, shërbime këshillimi dhe testimi për HIV, këshillim nga psikologë, punëtor social, ndihmë juridike dhe edukim bashkëmoshatarësh”, shtoi ajo.
Fjalën rasti pati edhe kryetari z. Maksim Dimitrievski i cili theksoi se Komuna pa hezitim e ka përkrahur hapjen e qendrës së re rinore, sepse në këtë mënyrë të rinjtë do të kenë qasje në hapësirë për aktivizim dhe debate që do të mundësojnë diskutim të hapur për tema që shpesh perceptohen si tabu dhe zgjidhje sipas nevojave të tyre.
Hapja e një qendre të tillë mbështet drejtpërdrejt realizimin e të drejtave të të rinjve për të pasur akses në informacion dhe edukim të bazuar në shkencë dhe mjekësi se si të përmirësojnë shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues. Në të njëjtën kohë, ata marrin një hapësirë të sigurt ku mund të adresojnë pyetje nga jeta e tyre e përditshme dhe këshilla nga ekspertët, si dhe informacione dhe edukim nga bashkëmoshatarët e tyre.
Rreziqet e keqinformimit dhe aksesit të kufizuar në shërbime tek të rinjtë janë regjistruar në gjetjet e Studimit ndërkombëtar të Organizatës Ndërkombëtare të Shëndetësisë për sjelljet lidhur me shëndetin te fëmijët e moshave shkollore 11, 13 dhe 15 (HBCC, 2017 – 2018), sipas të cilit edhe një e treta e të rinjve seksualisht aktivë në Maqedoni kanë bërë seks të pambrojtur të paktën një herë. Avokati i Popullit konstatoi se në vitin 2016 dhe 2017 mbi 700 vajza të mitura në Maqedoni janë bërë nëna, ndërsa 62 kanë vendosur që të mos vazhdojnë shtatzëninë. Nga ana tjetër, sipas hulumtimit të HERA, 96 % e prindërve dëshirojnë që fëmijët e tyre të dinë se ku të drejtohen për ndihmë në rast të rrezikut nga HIV dhe infektimet seksualisht të transmetueshme.