HERA për çdo vit organizon trajnim për edukatorët moshatar me qëllim të akreditimit të rinjve të ri, të cilët janë të interesuar ta transferojnë njohurinë e tyre nga fusha e edukimit gjithëpërfshirës seksual (EGJS) te moshatarët e tyre. Qëllimi është që fillimisht të rinjtë të kalojnë përmes trajnimit për secilën nga 7 komponentët të EGJS (gjinia, HIV, IST, kontracepsioni, aspektet qytetare, kënaqësia, dhuna, lidhjet & marrëdhëniet, dallimet) dhe pastaj të certifikohen për edukatorë moshatar, të cilët këtë njohuri do ta transferojnë më tutje.
Këtë vit trajnimi do të mbahet në dy pjesë dhe atë:
Pjesa teorike, ku do të njoftohen me të gjithë komponentët e EGJS sipas doracakut për edukatorë moshatar nga fusha e EGJS. Kjo komponentë e trajnimit ka për qëllim t’i njoftojë me informatat më relevante, më të reja dhe të bazuara në dëshmi, veçmas për secilën nga komponentët. Kjo pjesë u mbajt në qendrën edukative të KNMR prej 3 deri më 5 shkurt 2017 dhe ku morën pjesë 24 pjesëmarrës.
Pjesa e dytë përbëhej prej provimit, dhe qëllimi ishte që në praktikë të implementohet e gjithë ajo që ishte mësuar, duke pasur parasysh edhe aspektet pedagogjike të edukimit moshatar. Pjesëmarrësit të ndarë në ekipe bënin edukimin para klasës së simuluar dhe Komisionit. Kjo pjesë u organizua në Mavrovë prej 24 deri 26 shkurt 2017. Provimin e dhanë 21 pjesëmarrës të ndarë në 11 ekipe.
Për në fund, mund të themi se kishim grup të shkëlqyeshëm, energji të shkëlqyeshme, të rinj të përkushtuar dhe ambicioz, të cilët shprehën dëshirë të madhe për të mësuar dhe për t’u avancuar. Këta të rinj treguan një motivim të fuqishëm që të vazhdojnë në proces dhe të zhvillohen si edukatorë moshatar nga fusha e EGJS.