Shoqatat HERA – Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Koalicioni “Margjinat” ngritën kallëzim penal kundër Shoqatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Prej nesh për ne” për nxitje të urrejtjes dhe diskriminimit mbi disa baza. Individualisht, HERA gjithashtu ngriti një padi për të vendosur përgjegjësi civile për fyerje dhe shpifje.
Këto hapa u morën në përputhje me reagimin e HERA, pas së cilës Shoqata “Prej nesh për ne” jo vetëm që nuk kërkoi falje dhe nuk i tërhoqi gënjeshtrat për edukimin seksual dhe HERA, por gjithashtu vazhdoi të përhapte të pavërteta dhe të botonte materiale vizuale të papërshtatshme në lidhje me pilotim programin për edukim seksual në Maqedoni. Me këtë, “Prej nesh për ne” pa mëdyshje për muaj të tërë gjithashtu promovon dhe nxit urrejtje dhe diskriminim jo vetëm kundër HERA-s dhe organizatave dhe individëve që e mbështesin temën e edukimit seksual, por edhe ndaj fëmijëve, grave dhe personave LGBTI.
Përmes njoftimeve në faqen e saj të internetit dhe faqen në Facebook, Shoqata “Prej nesh për ne” e mbështet mospëlqimin e saj në lidhje me pilot programin për edukim seksual në vend me material të shkruar plot me informacione të rreme në lidhje me krijuesin dhe përmbajtjen e pilot programit dhe mënyrën e zbatimit të tij. Shoqata përdor fotografi dhe ilustrime të fëmijëve të frikësuar dhe trupave të zhveshur të fëmijëve me organe gjenitale të paqarta të marra nga sisteme të tjera arsimore dhe të cilat nuk janë pjesë e manualit të zhvilluar për nevojat e pilot programit lokal, me qëllimin e vetëm për të shkaktuar frikë dhe keqinformim të publikut.
Se shoqata nuk është e sinqertë në qëllimet e saj për të informuar si duhet qytetarët dhe as që është në përputhje me përpjekjet e saj për barazi të të gjithë qytetarëve konfirmohet nga postimet e saj në Facebook, përmes të cilave qëllimisht shkakton diskriminim dhe urrejtje. Një tregues i mjaftueshëm për këtë janë komentet në njoftime, të cilat janë një shembull i fyerjeve, përqeshjeve dhe gjuhës së urrejtjes bazuar në seks, gjini dhe orientim seksual – njoftime ndaj të cilave shoqata nuk reagon në asnjë rast. Në një kohë kur shkalla e dhunës ndaj vajzave dhe grave është në një nivel alarmant, gjuha e urrejtjes kundër grupeve të margjinalizuara dhe veprimet e shoqatës në internet inkurajojnë drejtpërdrejt homofobinë dhe diskriminimin ndaj grave.
Ne presim që Prokuroria Publike të pranojë kallëzimet penale dhe të fillojë një procedurë, e cila më në fund do të japë një shembull që në këtë vend nuk duhet të ketë vend për nxitje të gjuhës së urrejtjes kundër grupeve të cenueshme të qytetarëve dhe për përhapjen e gënjeshtrave që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e të rinjve. Për më tepër, ne presim që Gjykata Themelore të vendosë përgjegjësi civile për fyerje dhe shpifje për gënjeshtrat dhe të pavërtetat që i plason kjo shoqatë.
Obligimi për të futur edukimin seksual në arsim buron nga një numër dokumentesh ndërkombëtare që Republika e Maqedonisë së Veriut ka nënshkruar dhe ratifikuar, përfshirë rekomandimet e raportit të fundit të Komitetit për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, sipas të cilave mësimdhënësit duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në trajtimin e stereotipeve gjinore. Futja e edukimit seksual është paraparë në disa dokumente strategjike kombëtare për të cilat qeveritë e Maqedonisë janë zotuar që nga viti 2010. Edukimi seksual në shkolla është parashikuar si një masë për të parandaluar dhunën tek të rinjtë dhe me Ligjin e ri për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, miratuar nga Kuvendi në janar të vitit 2021.