Dje, më 22 nëntor, u mbajt konferenca përfundimtare me temën “Kujdesu si mashkull – Nga ndërgjegjësimi tek përfshirja: Inkuadrimi i meshkujve në parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe puna me kryesit me fokus për sigurinë e viktimës”, të organizuar nga Reaktor – hulumtim në veprim dhe HERA – Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim.
“Sfida me dhunën me bazë gjinore ndaj grave nuk është vetëm personale dhe as sfidë e raporteve, ajo është thellësisht sociale, kulturore dhe shoqërore dhe prandaj kërkon zgjidhje komplekse. Me çdo ditë të re jemi gjithnjë e më të vetëdijshëm se nëse duam të parandalojmë dhunën duhet të punojmë edhe me autorët e dhunës, përveç viktimës. Duhet rehabilitim, edukim, por edhe mbështetje, si për viktimat e dhunës, ashtu edhe për kryesit”, tha në fjalën e saj përshëndetëse para të pranishmëve në konferencë, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska.
Bojan Jovanovski, drejtor ekzekutiv i HERA, iu referua maskulinitetit toksik, i cili është i pranishëm kudo dhe i dëmshëm si për burrat ashtu edhe për gratë. “Shoqëria jonë është tradicionale, patriarkale dhe maskuliniteti që shohim përreth është në thelb i dhunshëm dhe dominues në pushtetin e tij mbi gratë. Më e keqja nga të gjitha është se maskuliniteti toksik po normalizohet, qoftë në shtëpi, në media, në shkolla apo në hapësirën publike. Në të njëjtën kohë, po bëhet pak, sidomos sistematikisht, për ta ndryshuar atë, para së gjithash, për të reduktuar dhunën, viktima të së cilës janë kryesisht gratë dhe vajzat”.
Fjalë përshëndetëse në këtë konferencë pati Harald Fuger, atasheu për Maqedoninë e Veriut nga Ministria e Çështjeve Sociale, Shëndetësisë, Kujdesit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Austrisë, si dhe Eli Skambor, drejtoreshë e Shoqatës për Çështje të Meshkujve dhe Gjinisë Stiria.
Në panelin e parë u diskutua rreth parandalimit shumë-profesional të dhunës me bazë gjinore, punën me dhunuesit me fokus sigurinë e viktimave dhe mundësitë për këshillimin e burrave në vendin tonë. Duke bërë një pasqyrë të shkurtër të situatës dhe një analizë të burimeve dhe nevojave lokale për këtë temë, Tanja Ivanova nga Reaktor theksoi se shumica e të anketuarve që ishin përfshirë në anketën online me palët kryesore të interesuara në vend, besojnë se burrat dhe djemtë mund të jenë përfshirë në parandalimin e dhunës nëpërmjet krijimit të qendrave të specializuara për mbështetje psiko-sociale falas (67%) dhe hapjes së linjave telefonike SOS për të ndihmuar burrat dhe djemtë (60%).
Duke u ndalur në rëndësinë e zhvillimit të programeve përmes të cilave burrat do të mësojnë se si t’i zgjidhin problemet pa përdorur dhunën, Vesna Matevska, menaxhere e programit nga HERA, i prezantoi dy planet e veprimit për parandalimin e dhunës dhe për punën me autorët e dhunës, me aktivitete specifike të cilat institucionet kompetente duhet t’i zbatojnë deri në vitin 2027. Përveç kësaj, në sesionin e dytë, ajo dhe Bojan Jovanovski nga HERA e prezantuan konceptin kombëtar që ofron udhëzime praktike se si duhet të duket një qendër për mbështetëje të burrave.
Ekspoze të tyre patën edhe Sllavica Mirçeska nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila i theksoi përpjekjet institucionale dhe rëndësinë e edukimit me ndjeshmëri gjinore; prof. dr. Dejan Ajdukoviq, psikolog nga Shoqata Psikologjike Kroate për Vetë-Ndihmë, i cili foli për përfitimet e punës me burra dhe djem në parandalimin e DHBGJ; Moric Teuretcbaher dhe Nadin Lampel nga Shoqata për Çështjet e Burrave dhe Gjinisë Stiria, të cilët folën për përvojën praktike të futjes së maskulinitetit të kujdesshëm në punën me autorët dhe Lidia Shterjov nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e cila kujtoi përpjekjet institucionale për përfshirjen e burrave në luftën kundër dhunës dhe qendrat e reja të këshillimit dhe punës me dhunuesit.
Konferencën e mbylli Ralf Puçert nga Shoqata për Çështje të Burrave dhe Gjinisë Stiria, i cili duke folur për hapat e ardhshëm e theksoi rëndësinë e ofrimit të mbështetjes adekuate financiare në ballafaqimin me dhunën.
Kjo ngjarje është pjesë e projektit “Vendosja e parandalimit shumë-profesional të dhunës me bazë gjinore, duke punuar me kryesit përmes një qasjeje të fokusuar në sigurinë e viktimave dhe këshillimin e burrave në Maqedoninë e Veriut” mbështetur nga Verein für Männer- und Geschlechterthemen Steiermark (Shoqata për Burrat dhe Çështjet Gjinore Stiria) (Grac, Austri) me mbështetje financiare nga Ministria Federale Austriake e Çështjeve Sociale, Shëndetësisë, Kujdesit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.