Gjinia ka një ndikim të rëndësishëm në jetën tonë dhe është një pjesë e rëndësishme e personalitetit dhe identitetit tonë. Kështu, meshkujt përballen me kriza dhe probleme që janë specifike vetëm për ta. Ata shpesh presin shumë gjatë për të kërkuar ndihmë dhe zakonisht i shohin problemet e tyre si dështime individuale dhe jo sociale. Kur bëhet fjalë për dhunën, ekziston edhe një karakteristikë e fortë specifike gjinore. Në përgjithësi, meshkujt shfaqen më shpesh si autorë të dhunës. Në partneritete dhe marrëdhënie, kryesisht gratë janë të prekura nga dhuna. Në publik, megjithatë, burrat janë shpesh viktima të dhunës nga burra të tjerë.
Programet për asistencë të meshkujve dhe teoritë për meshkujt dhe maskulinitetin u shfaqën në vitet 1980 si një reagim dhe pasojë e programeve të asistencës së grave. Edhe pse në fillim shumë punëtorë social dhe psikologë nuk e konsideronin si serioz dhënien e ndihmës dhe mbështetjes për burrat dhe kishte shumë rezistencë, përvojat e deritanishme në punën dhe drejtimin e shërbimeve të ndihmës dhe mbështetjes për burra konfirmojnë se burrat kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje lidhur jo vetëm me sjelljen e dhunshme, por edhe me marrëdhëniet e punës, izolimin, marrëdhëniet me partnerin, atësinë, përdorimin/varësinë nga droga, agresionin dhe seksualitetin. Më e rëndësishmja, ata duhet të dëgjojnë dhe të mësojnë se është normale që ata të kenë probleme dhe se është e rëndësishme të kërkojnë dhe të marrin ndihmën dhe mbështetjen që u nevojitet kur kanë nevojë.
Duke marrë parasysh të gjitha këto, si dhe faktin se ngritja e një qendre të specializuar për mbështetje dhe këshillim është një koncept relativisht i ri në fushën e punës sociale, ne zhvilluam një Koncept për qendrën për mbështetje dhe këshillim të meshkujve që mund të jetë një pikënisje për krijimin e programeve cilësore dhe të aksesueshme të këshillimit dhe terapisë për burrat dhe djemtë. Duke u mbështetur në parimet kryesore të parandalimit në punën me burrat dhe autorët e dhunës të marra nga përvojat kombëtare dhe ndërkombëtare, ai jep udhëzime fillestare për nevojat, mundësitë dhe mënyrat e punës në qendrat për mbështetjen dhe këshillimin e burrave, të cilat janë një nga strategjitë për parandalimin gjithëpërfshirës të dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Vendosja e një koncepti të tillë për këshillimin e burrave duhet të mundësojë një përfshirje më aktive të burrave në parandalimin e dhunës ndaj grave, por edhe në reduktimin e sjelljeve të dhunshme dhe përsëritjes së krimit midis autorëve të dhunës dhe autorëve të abuzimit seksual në të ardhmen.
Koncepti është përgatitur në kuadër të projektit “Krijimi i parandalimit multiprofesional të dhunës me bazë gjinore, punë me dhunuesit përmes një qasjeje të fokusuar në sigurinë e viktimës dhe këshillimin e meshkujve në Maqedoninë e Veriut” mbështetur nga Asociacioni për meshkuj dhe çështjet gjinore Stiria nga Graci (Verein für Männer- und Geschlechterthemen Steiermark) me mbështetje financiare nga Ministria Federale Austriake për Çështjet Sociale, Shëndetin, Kujdesin dhe Mbrojtjen e Konsumatorit.
Koncepti për qendrat për mbështetje dhe këshillim për meshkuj në Republikën e Maqedonisë së Veriut është i disponueshëm në gjuhën maqedonase në këtu. Është gjithashtu në dispozicion në anglisht, këtu.


