Dhuna me bazë gjinore (DHBGJ) është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut të vajzave dhe grave në përgjithësi. Në situata emergjente, siç është situata me pandeminë Covid-19, rreziku i dhunës rritet shumëfish. Në të njëjtën kohë, dobësohen sistemet kombëtare, veçanërisht ai shëndetësor, ai i drejtësisë, si dhe sistemi i mbështetjes sociale.
Kjo shpie në pengesa në aksesin në shërbimet sociale dhe shëndetësore, duke përfshirë aksesin në shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues, si dhe aksesin në shërbimet ligjore. E gjithë kjo mund të kontribuojë në gjendjen e mosndëshkimit të autorëve dhe rrezikun e përsëritjes së dhunës në të gjitha format e saj, si dhe vazhdimin e praktikave të dëmshme tradicionale.
Dhuna me bazë gjinore, si dhe dhuna në familje, shkaktojnë pasoja afatgjata për shëndetin e grave dhe vajzave, gjendjen e tyre psiko-sociale, si dhe pavarësinë dhe stabilitetin ekonomik.
Në vendin tonë, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme, mbi 90% e autorëve të dhunës në familje janë meshkuj, dhe mbi 80% e viktimave janë femra, janë të rëndësishme përpjekjet e vendit për nxjerrjen e rregulloreve ligjore dhe dokumenteve strategjike me qëllim për të arritur barazinë gjinore.
Në vitin 2018, pas ratifikimit të Konventës së Stambollit, u miratua një Plan veprimi për zbatimin e Konventës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, objektivi kryesor i së cilës është krijimi, zbatimi dhe koordinimi i një politike gjithëpërfshirëse kombëtare për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave.
HERA përgatiti një raport përfshin gjetjet dhe rekomandimet kryesore bazuar në monitorimin e kryer të aktiviteteve të realizuara deri më tani që janë pjesë e Planit të veprimit për Konventën e Stambollit për vitin 2023.
Zbatimi i plotë i Planit të veprimit është i një rëndësie të veçantë, veçanërisht nëse merret parasysh fakti alarmues që konfirmon se dhuna ndaj grave në Maqedoninë e Veriut shpeshherë nuk raportohet për shkak se nuk njihet si e tillë.
Rreth 48% e grave besojnë se kjo është një çështje private, dhe 28% besojnë se dhuna shpesh nxitet nga viktima. Vetëm 2% e të mbijetuarve të dhunës nga partneri intim dhe 21% e të mbijetuarve të dhunës nga ish-partneri e raportuan atë në polici. Arsyet janë ose turpi nga mjedisi ose mosbesimi në institucionet, në të cilat stafi duhet të trajnohet për temat e DHBGJ.
Viktimat e dhunës në territorin e RSM-së kanë qasje në 16 shërbime në qendrat e punës sociale në shtatë rajonet planifikuese: të Pollogut, Jug-Perëndimit, Lindjes, Veri-Lindjes, Vardarit, Pellagonisë dhe Shkupit. Përveç tyre, janë edhe 8 shërbime të tjera të drejtuara nga organizata të shoqërisë civile të financuara pjesërisht nga mjetet buxhetore, 7 prej të cilave janë në Shkup. Sa i përket llojit të shërbimit të specializuar për viktimat e DHBGJ, janë krijuar gjithsej 9 strehimore për viktimat e DHBGJ.
Ende nuk ka strehimore për viktimat e DHBGJ në rajonet e Pollogut dhe Verilindjes.