“Dokumentimi i efekteve që legjislacioni regresiv maqedonas dhe politikat kufizuese për abortin i kanë mbi të drejtat e njeriut: gjetjet dhe rekomandimet kyçe” e hulumton efektin dhe pasojat nga miratimi i Ligjit ekzistues për ndërprerjen e shtatzënisë në vitin 2013, me të cilin vendosen dispozitat ligjore kufizuese dhe vështirësohet qasja deri te aborti i sigurt dhe legal në Maqedoni.
Efektin negativ të rregullores ekzistuese ligjore e vërtetojnë një sërë përvojash dhe qëndrimesh të fituara përmes intervistave anonime me katërmbëdhjetë aktorë të problematikës nga Manastiri, Kumanova dhe Shkupi, gjegjësisht shtatë gra të cilat kanë bërë abort pas vendosjes së kushteve të reja ligjore, dy gjinekologë, një sociolog, një punëtor social dhe tre përfaqësues të organizatave joqeveritare.
Hulumtimi është përmbledhje e gjetjeve kyçe, por jep edhe rekomandime të cilat do të duhet të merren parasysh gjatë ndryshimit të Ligjit për ndërprerjen e shtatzënisë, që del si nevojë e domosdoshme nga përvojat e dokumentuara.
Ky dokument është rezultat i bashkëpunimit katër mujor mes H.E.R.A. dhe Qendrës për të drejta riprodhuese dhe mund ta gjeni në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze.