Është e rëndësishme për ne që shëndeti mendor dhe mbrojtja nga dhuna të njihet si prioritet tek të rinjtë. Të ndërtojmë një shoqëri ku të rinjtë do të flasin hapur për temat që i shqetësojnë dhe do të kërkojnë ndihmë dhe mbështetje pikërisht nga shërbimet profesionale dhe mësimdhënësit në mjedisin shkollor ku kalojnë pjesën më të madhe të kohës. Ky ishte një nga konkluzionet kryesore të panelit “Sa të rëndësishme janë programet edukative për mirëqenien dhe shëndetin mendor të të rinjve?”, i cili u mbajt në Tetovë në organizimin e HERA, me mbështetjen e Ambasadës së Francës.
Në fjalën e tij hyrëse, ambasadori i Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Siril Bomgartner, theksoi se projekti “Trupat tanë nuk janë tabu”, i cili është rajonal, i referohet drejtësisë menstruale, por edhe edukimit gjithëpërfshirës seksual, dy tema që janë shumë të rëndësishme për komunitetin.
“Ne e mbështesim këtë projekt sepse jemi të bindur se duke përfshirë këto përmbajtje edukative ato mund të kontribuojnë në përmirësimin e mirëqenies së të rinjve dhe shëndetin e tyre mendor. Vendi juaj është zotuar të punojë për të reduktuar martesat e të miturve, gjithashtu për të ndihmuar vajzat e reja, adoleshentët dhe veçanërisht gratë që të jenë sa më autonome dhe me të vërtetë ka vendosur që t’i mbështesë edhe organizatat e grave”, tha Bomgartner.
Gordana Bllazhevska Spiridonova nga SHMSH “Nikolla Karev” Shkup, e cila prezantoi studimin HBSC i dizajnuar për të monitoruar shprehitë shëndetësore dhe sjelljet e të rinjve që ofrojnë njohuri për cilësinë e jetës nga aspekti i shëndetit fizik, mendor, social dhe shpirtëror. Sipas saj, ky studim është alarm i mjaftueshëm për nevojën e futjes së edukimit seksual për të rinjtë në një përmbajtje që do të përshtatet me moshën e tyre.
“Këto gjetje ofrojnë një pasqyrë të situatës në lidhje me perceptimin gjinor tek të rinjtë dhe marrëdhëniet që rrjedhin prej tij. Është e dobishme që këto të dhëna të përdoren si bazë për ndërtimin e politikave të shëndosha për kujdesin e popullatës së re në vend”, tha Bllazhevska Spiridonova.
Profesoresha e psikologjisë në Universitetin e Tetovës, Sheruze Osmani Ballazhi, thotë se edukimi seksual është mjet që kontribuon në përmirësimin e shëndetit mendor, pikërisht për arsyen se edukimi seksual bazohet në parimin e të drejtave të njeriut, në parimin e kënaqësisë, që do të thotë se orientohet drejt zhvillimit të kapaciteteve të të rinjve, edhe në marrjen e vendimeve që bazohen në informacione të verifikuara.
“Vetë programi kontribuon që të rinjtë të zhvillojnë aftësi, qëndrime dhe të marrin informacion në kohë që do t’i ndihmojë ata të përballen me situatat dhe sfidat me të cilat përballen në jetën e përditshme”, thotë Osmani Ballazhi.
Ajshe Ajrullai nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, thotë se futja e edukimit gjithëpërfshirës seksual në edukimin e të rinjve synon t’u ofrojë nxënësve mundësi për të fituar kompetenca të përshtatura për moshën e tyre, që u nevojiten për të marrë vendime të informuara, të tilla si dhe për t’i gëzuar të vetat, d.m.th. , për të respektuar të drejtat e të tjerëve në sferën e seksualitetit.
“Kjo bazohet fuqishëm në konceptin e të drejtave të njeriut dhe mbi të gjitha në avokimin e barazisë gjinore, mbrojtjen nga dhuna, mbrojtjen e dinjitetit dhe autonomisë. Përfitimet nga studimi i kësaj lënde janë shumë domethënëse, sepse të rinjtë janë më të përgjegjshëm për shëndetin, janë më empatikë ndaj njerëzve, kanë më shumë vetëbesim dhe aftësi komunikuese me bashkëmoshatarët e tyre, ulet numri i sjelljeve seksuale të rrezikshme dhe ka më pak shtatzëni dhe aborte adoleshente”, tha Ajrullai.
Ron Gjinovci nga ORKA – Organizata për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë, theksoi se si në mbarë Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në Kosovë, të rinjtë kanë problem me mirëqenien e tyre “Si kudo në rajon edhe tek ne shëndeti mendor i të rinjve është tabu temë”, thotë Gjinovci.
Elizabeta Bozhinoska nga HERA tha se informacionet që marrin nga përvojat në terren janë dërrmuese dhe tregojnë se të rinjtë nga mosha 15 deri në 18 vjeç janë më të ekspozuarit ndaj dhunës, për dallim nga grupmoshat e tjera në vend.
“Për sa i përket pabarazisë gjinore – deri në 52% e vajzave tona 15-vjeçare dhe 29% e djemve të së njëjtës moshë vuajnë nga simptoma të shumta psikosomatike njëkohësisht, disa herë në javë. Në vitin 2022, mbi 700 nëna në vendin tonë ishin vajza nga mosha 15 deri në 19 vjeç! Kësaj i shtohet edhe numri i lindjeve minorene, i cili në vendin tonë është tre herë më i lartë se mesatarja e vendeve të BE-së. Nevojiten programe arsimore që do t’u përgjigjen nevojave të të rinjve dhe këtë mund ta bëjmë vetëm në bashkëpunim dhe bashkarish – dhe në linjën e parë të kësaj aleance janë pikërisht mësimdhënësit, pedagogët, psikologët, punëtorët social dhe shëndetësor së bashku me prindërit dhe komunitetit lokal, tha Bozhinoska.
Eventi është pjesë e projektit rajonal “Trupat tanë nuk janë tabu” që zbatohet në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi me mbështetjen e Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme të Francës dhe ambasadave të Francës në vetë vendet. Në Maqedoninë e Veriut, projekti zbatohet nga Shoqatat HERA dhe Tiiiit! Inc. me mbështetjen e Ambasadës Franceze