Shkup, 30 janar, 2023 – Organizatat qytetare që janë pjesë e Këshillit për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile, si përfaqësues të zgjedhur të sektorit civil, shprehin një revoltë të fuqishme ndaj qëndrimit të Qeverisë ndaj Këshillit dhe ndaj shoqërisë civile në përgjithësi. Për këtë, kërkojmë nga Kryetari i Qeverisë z. Dimitar Kovaçevski që të realizojë takim me përfaqësues të organizatave qytetare nga Këshilli, në të cilin presim që ai të qartësojë politikën e Qeverisë ndaj shoqërisë civile, të arrihet një marrëveshje për çështjet problematike të ngritura më parë dhe të rifillojë realisht dialogu i vendosur në vitet e kaluara.
Ne, anëtarët e Këshillit për bashkëpunim nga radhët e organizatave qytetare, konstatojmë se në vitin e kaluar funksionimi i Këshillit u pamundësua nga injorimi i rekomandimeve dhe konkluzioneve kryesore nga ana e qeverisë, që është kompetencë e saj themelore si organ këshillimor i Qeverisë. Disa përpjekje për të krijuar komunikim të drejtpërdrejtë, si dhe një takim me Kryetarin e Qeverisë dhe me përfaqësues të Qeverisë për të diskutuar çështjet thelbësore që ndikojnë në funksionimin e shoqërisë civile, deri më tani kanë mbetur pa përgjigje.
Jemi thellësisht të shqetësuar për përkeqësimin e bashkëpunimit, mungesën e komunikimit dhe dialogut thelbësor dhe madje atij formal. Funksionimi i shoqërisë civile është një tregues kyç i klimës demokratike në vend dhe kur kjo kërcënohet, vihet në pikëpyetje progresi i vendit, si dhe afrimi i tij me Bashkimin Evropian. Në periudhën e kaluar, por edhe tani, ne posaçërisht i theksojmë si sfida këto çështje:
- Ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për shoqatat dhe fondacionet janë miratuar pa një proces konsultativ të palëve të interesuara, veçanërisht të Këshillit për bashkëpunim dhe organizatave qytetare në përgjithësi. Duke vlerësuar se ekziston një grup punues aktiv për ndryshime dhe plotësime në këtë ligj, së paku pritej nga Qeveria që të hapë procesin konsultativ përmes diskutimit publik në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut;
- Qeveria në vitin e kaluar ka shkelur zyrtarisht dhe në thelb marrëveshjen institucionale lidhur me anulimin e fondeve për mbështetjen e aktiviteteve të sektorit civil nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe pa konsultim ka përcaktuar Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive si ministri kompetente për shpërndarjen e mjeteve për mbështetjen e organizatave qytetare. Me këtë mënyrë të veprimit, Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive doli tërësisht jashtë fushëveprimit të kompetencave të saj, të cilat i përcakton korniza ligjore e shtetit. Ky indikacion është theksuar disa herë nga Këshilli për bashkëpunim, por Qeveria dhe Ministria e kanë injoruar plotësisht qëndrimin e këtij organi;
- Procesi për reformën e financimit shtetëror, me gjithë përpjekjet, nuk u realizua në vitin 2022 dhe përveç kësaj, në vend që të parashikohej rritje e financimit shtetëror, organizatat e shoqërisë civile u përballën me reduktim të fondeve në baza të ndryshme. Kjo është plotësisht në kundërshtim me Strategjinë e Qeverisë për bashkëpunim dhe zhvillim të shoqërisë civile, sipas së cilës parashihet një rritje e fondeve për financimin shtetëror të OQ;
- Qeveria mbylli procesin e konsultimit për Reformën në administratën shtetërore, gjë që shkeli postulatet bazë për bashkëpunim me grupet e interesit. Ky proces, i cili paraqet një reformë të plotë dhe gjithëpërfshirëse të organeve shtetërore, pavarësisht kërkesave të shumta të Këshillit dhe të sektorit civil në përgjithësi, vazhdon të zhvillohet vetëm brenda ministrive.
Tej kësaj situate, disa organizata të shoqërisë civile raportojnë se hapësira për punën e shoqatave dhe fondacioneve është ngushtuar ndjeshëm, dhe komunikimi me disa ministri është përkeqësuar në masë shqetësuese, gjë që thuhet edhe në disa raporte që janë përgatitur për mjedisin mundësues të organizatave qytetare.
Duke marrë parasysh të gjitha të sipërpërmendurat, është e qartë se Qeveria nuk po punon për arritjen e qëllimeve të Strategjisë për bashkëpunim dhe zhvillim të shoqërisë civile 2022-2024 dhe nuk po e zbaton planin e veprimit të kësaj Strategjie. Në të njëjtën kohë, për shkak të ndërprerjes së punës së Këshillit, nuk funksionon as sistemi i monitorimit të përmbushjes së obligimeve të Qeverisë nga kjo strategji, për të cilën ka mandat Këshilli.
Duke e vlerësuar kontributin e pazëvendësueshëm të shoqërisë civile në përparimin e vendit dhe mbështetjen që ky sektor e ofron në rrugën e integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, anëtarët e Këshillit nga radhët e organizatave të shoqërisë civile presin që Kryeministri dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të dëshmojnë konstruktivitet dhe ruajtjen e vlerave themelore demokratike për të cilat ne si shtet qëndrojmë, të cilat nuk do ta vënë në dyshim punën e një sektori të tërë në këtë shoqëri. Për këtë, krahas kësaj kërkese publike, një kërkesë e re për takim i është dorëzuar zyrës së Kryetarit të Qeverisë, si dhe Presidentit të shtetit, komisioneve përkatëse të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ambasadorit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Përfaqësues të zgjedhur të sektorit civil në Këshillin për bashkëpunim mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe shoqërisë civile, me organizatat e tyre:
- Snezhana Kamillovska Trpovska, Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar Shkup – fusha: Demokracia dhe sundimi i të drejtës
- Uranija Pirovska, Shoqata Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut e Republikës së Maqedonisë Shkup – fusha: Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe antidiskriminimi
- Nikica Kusinikova, Shoqata Konekt Shkup – fusha: Zhvillimi ekonomik dhe i qëndrueshëm
- Dimitar Nizamovski, Shoqata e qytetarëve Forumi Arsimor Rinor Скопје – fusha: Shkencë, arsim dhe të mësuarit e përjetshëm
- Zoran Ilievski, Koalicioni i Organizatave Rinore Sega Prilep – fusha: Të rinjtë
- Jasminka Frishçiq, Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazo të Grave, Shkup – fusha: Mbrojtja sociale dhe mbrojtja e fëmijëve
- Daliborka Zllateva, Shoqata e Personave me Paralizë Cerebrale dhe Kufizime të Tjera Veles – fusha: Mbrojtja e personave të margjinalizuar
- Andrej Senih, Shoqata për Mbështetje të Personave që Jetojnë me HIV – Bashkë më të fuqishëm Shkup – fusha: Mbrojtja e shëndetit
- Liljana Jonoski, Shoqata Koalicioni Rural Kumanovë – fusha: Bujqësi dhe zhvillim rural
- Tijana Ana Spasovska, Jadro Asociacioni i Skenës së Pavarur Kulturore Shkup – fusha: Kulturë
- Nikolla Dodov, Shoqata për Nxitjen dhe Promovimin e Informatikës Asociacioni i Studentëve të Informatikës Shkup – fusha: media dhe shoqëria informatike
- Dragica Kostadinovska, Shoqata Organizata Multietnike për Kulturë Ndërkombëtare Mozaik Meik Shkup – fusha: Sport
- Ardita Abazi Imeri, Instituti për Politikë Evropiane – Shkup – fusha: EU integrimet dhe politika
- Marija Savovska, Shoqata për Avancimin e Barazisë Gjinore Aksioni Zdruzhenska Shkup – fusha: barazia gjinore
- Sashka Kocevska, Lëvizja e Ambientalistëve të Maqedonisë Veles – fusha: Mbrojtja e ambientit