Në Maqedoni, vetëm 14% e grave të cilat janë në lidhje ose të martuara përdorin kontracepsion që është dëshmuar se mbron nga shtatzënia e paplanifikuar dhe që nga viti 2017 qeveria ka premtuar me këmbëngulje se do të zgjerojë listën pozitive të barnave me të paktën një kontraceptiv modern
26 shtator 2022 – Në vend, vetëm 14% e grave të moshës 15 deri në 49 vjeç, të cilat janë në një lidhje apo të martuara, përdorin kontracepsion modern dhe metoda më e përdorur e kontracepsionit është metoda e “tërheqjes” (ndalimi i seksit të pambrojtur para ejakulimit). Në periudhën 2011-2018, përdorimi i kontracepsionit modern në vendin tonë, përfshirë kontracepsionin oral dhe atë spirale, është në rënie: në vitin 2018, vetëm 10% e çifteve përdorën prezervativ mashkullor. Këto janë vetëm disa nga gjetjet alarmante që u prezantuan në konferencën e sotme kombëtare “Kontracepsioni në listën pozitive! Pse nuk jemi ende gati?”, organizuar nga HERA – Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim.
Përkundër këtij realiteti, i cili kërcënon drejtpërdrejt lirinë riprodhuese të të gjithë qytetarëve, qëndron fakti se përkundër premtimeve të Qeverisë nga viti 2017, ende nuk ka asnjë mjet kontraceptiv në barrë të Fondit për sigurim shëndetësor. Edhe pse në vitin 2020 u ndryshua Ligji për sigurim shëndetësor, i cili e lehtësoi mënyrën e rishikimit të listës pozitive të barnave, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Shëndetësisë ende nuk kanë formuar Komisionin përkatës apo nuk kanë miratuar Rregullore për listën pozitive. Si pasojë e kësaj, qytetarët në Maqedoni paguajnë 42% të kostos totale të barnave dhe 100% të kostos totale të mjeteve kontraceptive moderne të disponueshme në vend.
“Edhe përkundër të dhënave të tilla, buxheti për programet përmes të cilave Qeveria ofron kontracepsion oral, spirale apo prezervativë, dhe vetëm për një numër jashtëzakonisht të kufizuar të grave nga kategoritë e cenueshme sociale dhe për gratë me abort të përsëritur, është në rënie. Pra, nga 150 gra në vitin 2018, në vitin 2020 dhe 2021 numri zbret në vetëm 50 gra që kanë marrë kontraceptivë falas dhe atë vetëm përmes objekteve shëndetësore në nivelin sekondar dhe terciar”, tha Dragana Karovska Çemerska, menaxhere e programit në HERA.
Sipas prof. dr. Ana Daneva Markova, kryetare e Komitetit për mëmësi të sigurt, hulumtime të shumta të kryera në nivel global konfirmojnë se qasja në kontracepsionin modern e zvogëlon vdekshmërinë e nënave me 25% dhe vdekshmërinë e të porsalindurve për 20%. “Disa metoda të kontracepsionit e reduktojnë incidencën e HIV-it dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme, ndërsa ndërgjegjësimi dhe përdorimi i duhur i kontracepsionit parandalon shtatzënitë e paplanifikuara,” shtoi ajo.
Mr. Irina Luçeska theksoi se Indeksi për Maqedoninë, me të cilin shprehet nevoja për planifikim familjar, e kënaqur me metodat bashkëkohore në kuadër të Indeksit të përgjithshëm kombëtar “Indeksi i mbulimit universal shëndetësor”, është vlerësuar me 25, ku në suaza botërore indeks më të keq kanë vetëm Shqipëria, Sudani i Jugut, Somalia dhe Çadi. Këtë fakt shkatërrues e ilustrojnë të dhënat e Institutit për nëna dhe fëmijë në Shtëpinë e shëndetit – Shkup, sipas të cilit në vitin 2020 numri i këshillave për planifikim familjar në kujdesin primar shëndetësor është përgjysmuar.
“Analiza e perceptimeve të deputetëve relevant për disponueshmërinë dhe përdorimin e kontraceptivëve modern tregoi se vendimmarrësit pajtohen se duhet të ketë këshillim për shëndetin seksual dhe riprodhues, përfshirë kontraceptivët”, tha dr. Maria Risteska, drejtore ekzekutive e QHKP– Qendra për hulumtim dhe krijimin e politikave dhe autore e analizës “Vendimmarrësit bien dakord që prezervativët duhet të jenë falas dhe të disponueshëm për të gjithë në institucionet shëndetësore, dhe pilulat kontraceptive të përfshihen në listën pozitive të barnave”.
Edhe pse shteti u angazhua për futjen e kontraceptivëve modernë në listën pozitive në vitin 2010 me Strategjinë kombëtare për shëndetin seksual dhe riprodhues 2010-2020, me keqardhje vërejmë se 12 vjet më vonë asnjë qeveri nuk ka arritur të përmirësojë aksesin në kontracepsion. Prandaj, qeveria jonë dhe të gjitha institucionet përgjegjëse duhet që sa më shpejt të jetë e mundur t’i afrohen realizimit të premtimeve të shumta që kanë bërë si nënshkruese të dokumenteve ndërkombëtare, por edhe detyrave që i kanë vënë vetes në kuadër të strategjive kombëtare. Kjo nënkupton fillimin e procesit të rishikimit të Listës pozitive të barnave me qëllim zgjerimin e saj me të paktën një kontraceptiv modern, i cili do të përmirësonte mbulimin universal të kujdesit shëndetësor, veçanërisht për qytetarët më të cenueshëm që nuk kanë qasje në shërbimet e planifikimit familjar.