Të drejtat seksuale janë të drejtat e njeriut universale, të bazuara në lirinë e lindur, dinjitetin dhe barazinë e të gjitha qenieve njerëzore. Për gëzimin e plotë të këtyre të drejtave, të gjithë njerëzit mes tjerash, duhet të kenë qasje deri te informatat dhe qasja deri te shërbimet për shëndet seksual dhe riprodhues (SHSR). Por, kjo sikur nuk vlen për personat me kufizime në Maqedoni.
Në mungesë të privatësisë së mjaftueshme dhe programeve të strukturuara adekuate për SHSR, personat me kufizime te ne jetojnë të rrethuar me barriera të shumta fizike, paragjykime profesionale dhe pikëpamje të çuditshme, e mezi i realizojnë të drejtat e tyre seksuale dhe riprodhuese. Edhe pse e drejta e SHSR duhet ta garantojë mbrojtjen e tyre dhe barazinë.
Duke dashur t’i aktualizojë këto çështje mes opinionit më të gjerë, por edhe t’i inkurajojnë personat me kufizime që të flasin dhe t’i kërkojnë të drejtat e tyre seksuale dhe riprodhuese, HERA dhe Platforma për avancimin e SHSR të personave me kufizime organizojnë “Ditët e shëndetit seksual dhe riprodhues dhe personat me kufizime”.
Duke nisur nga nesër (19 tetor), do të organizohen punëtori rreth përvojave për seksualitetin për personat me kufizime dhe punëtori për personat me kufizime intelektuale, ndërsa do të sigurohen edhe kontrolle pa pagesë dermatologjike në Qendrën rinore “Dëshiroj të di” në Vodno. “Ditët e SHSR dhe personat me kufizime” përfundojnë më 10 nëntor në “Dare Xhambaz”, kur do të organizohet tribuna publike, e shoqëruar me projektim filmi. Programin e tërësishëm për ngjarjen e gjeni këtu.